Hyrje | Biografi | P. Traboini | Donald Traboini | Hoti | Impresione


EMA BONINO, UÇK-ja, DHE EURODIPLOMACIA

  Ku u gjend ai ushtar i UÇK-se ne Malisheve,
he mi lumte pushka!

Nuk eshte fare per tu shqetesuar se zonja Ema Bonino qenka ndaluar nga ushtaret e UÇK-se ne nje fshat te Malisheves.Kjo zonje e larte e Europes nuk ka mundur te ndahet nga grupi shoqerues i publicitetit sipas kerkeses se njesitit te UÇK-se, por ne shenje padurimi ka krisur e ikur per te pare nje "fshat tjeter".Lajmet nuk thone nese "fshatin tjeter" ja kane rekomanduar pushtuesit xhahil serb apo ndonje nga ekipi shoqerues.
Te kish ndodhur ky "incident" dy muaj me pare, mbase mund te gjykohej mungese etike ndalimi i shpures se zonjes se larte europiane Bonino, mirpo qe atehere e tash, shume ngjarje kane ndodhur, e mjaft te tjera kane ndryshuar, aq sa te duket se edhe vete vizita e kesaj perfaqesuesje te larte eshte si kofini pas te vjeli.U kish dashte qe si Europa qe ajo perfaqeson dhe NATO-me te cilet mburret, te ishin gjendur ne Kosove para se Milosheviçi te niste fushaten e spastrimeve masive ne Rahovec, Malisheve e se fundi ne Junik. Kjo ardhje mbas masakrave masive ne popullin e Kosoves, kur Milosheviçi deklaron se e vendosa rendin, çka do me thane? Ne Kosove qyshkuri ish dashte te shkonin trupat e NATO-s e jo zonja me shpura, qe siç vine ikin.
Prandaj, shume mire kane bere ata djem te UÇK-se, qofte edhe sikur ta kene bere krye ne vedi e pa urdherin e Shtabit.
Kur i them keto, nuk nisem kurrsesi nga shkaku i arsyeshem se sa here kane shkuar personalitete nga Europa e Amerika ne Kosove, u jane ngjitur nga prapa spiunet e Serbise, madje me dokumenta te "rregullta" te punonjesve te shtypit. Dhe kjo nuk eshte çudi sepse parja e Beogradit shkon shume me larg e me lart se sa niveli i propoganduesve te thjeshte.
Eshte nje fakt qe ne shqiptaret po e perjetojme me dhimbje te madhe deri ne ndjenje fataliteti, trumbetimin me te madhe nga TV, shtypi e masmediat nderkombetare se UÇK-ja u shkatrrua, e kjo e thene me miratim te kenaqeshem qysh prej qarqeve me te larta te shteteve te medha e deri tek gazetat me te shitura te botes, me qellimin e poshter se tashme kjo forca luftarake u mund, e si ne çdo lufte i munduri nuk duhet te merret ne konsiderate.
Per fat te keq edhe ne grupin negociues te hartuar me siguri prej ambasadorit Hill, nuk gjendet vend per UÇK-ne madje thuhet me nje ton ironik "vendet jane te hapura per kedo qe do te marre pjese" si te ishte fjala per pjesmarrje ne nje salle koncerti. prandaj te mos kemi iluzionin me te vogel se e gjithe kjo disfate ne vije frontale e UÇK-se ka ardhur si rezultat i nje drite jeshile nga qarqet diplomatike europiane,te cilet e shohin realizimin e nje marveshje te re roberuese te popullit shqiptar te Kosoves nen Serbi vetem po te kene koka te bindura ne ne tryezen e bisedimeve, te cilin ata e kane ideuar me kohe si "Dajtonin e Dyte". E qe te behet "Dajton i Dyte", duhet patjeter te jete i ezauruar plotesisht termi "Bosnja e Dyte", pra Eurodiplomacia do te pres derisa te vriten edhe mijra shqiptare te tjere, derisa Serbia ta shtroje me zjarr e me hekur Kosoven, e kur vendi te kete maale me kufoma, atehere ne mes te pushtuesit fitimtar dhe viktimes se mundur do te vendose "Dajtoni i Dyte" i cili merret me mend sa çka mund te jete - ligjesimi i dyte nderkombetar per roberimin e metejshem te popullit shqiptar.
Deri me tash u çane duke therritur se pse UÇK-ja nuk udheheqje, me pas pse nuk ka koke,( madje e bene me shume koke si kulçedren), akoma dhe me pertej pse nuk ka krahe politik e te tjera insinuata te diplomateve, te cilat kishin per qellim te realizonin gradualisht gjendjen qe po sundon sot, pra politikane te drobitur ne Prishtine (prej hallit se ne nje krah sulmon Sllobodani e ne krahun tjeter presojne jaranet e politikes nderkombetare), dhe nje UÇK me terrene te humbur e pa baza furnizimi.
Duke qene Kosova ne kete pike halli, kur dimri po afron dhe mbi nje çerek milioni banore tashme jane te ikur prej vatrave te tyre, Eurodiplomacia mendon se e ka me te lehte tu kujtoje shqiptareve se "pavaresia eshte nje enderr e bukur" te cilen nuk mund ta realizojne kurre, prandaj te ulin koken e te pranojne zgjedhen serbe.
Me kete llogjike absurde vine te gjitha ekipet nga Europa dhe e kane ne maje te gjuhes shprehjen demoralizuese e denigruese per popullin shqiptar, "nuk ka pavaresi per Kosoven", çka ne te vertete eshte nje diskriminim i pashembullt ne historine e popujve. Eurodiplomatet e sotem e dine mire se me kete retorike cinike, na kane folur e diskriminuar historikisht te tere brezat e diplomateve te ketij shekulli madje dhe ne shekullin e kaluar.
Ymer Prizreni e Abdyl Frasheri ne pranvere te vitit 1879 trokiten ne kançelarite e shteteve te medha kur keta te fundit i dhane Malit te Zi Hotin e Gruden, e me pas Ulqinin e Tivarin. Eurodiplomacia e asaj kohe jo vetem nuk na pranoi kurrfare kerkese, perkundrazi pruri flotat luftarake dhe me predha rrahu Ulqimin e Tivarin nga deti, nderkohe qe pushtuesit turq e malazez benin kerdine pas shpines se shqiptareve.Kush shpetonte prej predhave te topave te Europes e grinte plumbi e bajoneta e turqeve dhe malazezeve. Me kete gjuhe i eshte folur ne Londer Ismail Qemalit e Is Buletinit kur Kosova e trojet shqiptare ju dhane Serbise Greqise e Malit te Zi, e ku keta burra te Shqiperise u thane diplomateve te hanxharit, "puna juaj ketu mbaron - puna jone ketu fillon" dhe "shqiptaret nuk mbajne kurrfare pergjegjesie historike per luftat qe do te sjell e ardhmja", fjale qe jane aktuale edhe sot e kesaj dite, sepse pinjollet e diplomacise se vjeter, kane rrembyer hanxharin e baballareve dhe kerkojne te riperserisin tragjedine ose me e pakta ta shpetojne ate çka mbetur nga sajesa e tyre monstruoze, tashme e deshtuar plotesisht, burgun e popujve me emrin serbo-jugosllavi.
Prandaj nese ndonje ekipi prej shpures te Eurodiplomacise ju prish humori e oreksi ne nje fshat prane Malisheves se djegur e zhuritur, nuk eshte ndonje gjeder i madh. Perkundrazi, keta trumbetareve ndjellakeq, qe deshen me çdo kusht e çdo çmim shmangien e UÇK-se si faktor detreminant per zgjidhjen perfundimtare te çeshtjes se Kosoves, le ta marrin vesh se UÇK-ja as nuk eshte vrare e as nuk eshte shuar, ajo lind nga zjarri, shkrumbi, e hiri i shtepive te zhuritura ane e mbane Kosoves e pertej saj, ajo mbijeton permes amaneteve dhe shpirtit qindra e mijra te masakruarve barbarisht, ajo rilind si Feniksi nga hiri edhe pse zjarri te duket i shuar.
Ne kete kurs antishqiptar dhe antinjerezor ku nxitet vrasesi dhe qahet me lot korkodili viktima, po perfshihet kush te mund me shume, qe nga gjeneralet e Natos me ca stervitje groteske ne Bize Martanesh (nderkohe qe 15 predha topash te kalibrit te rende 120 mm godasin token shqiptare), e deri tek OKB-ja qe ben rezoluta per te mbrojte te drejtat e popujve ne Afrike, Azi, Amerike Latine, nderkohe qe ben sehir nje gjenocid masiv ne Kosove, dhe popullit shqiptar i mohon te drejten e ligjeshme te vetvendosjes. Nga kjo soditje diplomatike nuk shpetojne as diplomatet "aktive" dhe "emisaret e posaçem" te varavingove ne Ballkan, as miqt tane amerikane, dhe as buzekuqja e Eurodiplomacise zonja Ema Bonino, shpuren e publicitetet te se ciles e ndaloi nje ushtar i UÇK-se ne Malisheve. E pra sipas kesaj shpure te publicitetit, Malisheva eshte "territor" i zoteruar me lufte prej armates serbe.
E atehere, ku u gjend ai ushtar i UÇK-se ne Malisheve, he mi lumte pushka!

Kolec Traboini,
20 Gusht 1998


Hyrje | Kopjimi | Lart